Plani mësimor kornizë Informatë për prindër Fletëparaqitje për regjistrim Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë

Donacionet & Anëtarsimi

NË FUSHËN SPORTIVE HEERENSCHÜRLI ZÜRICH U MBAJT TURNIRI I FUTBOLLIT ME NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE TË K. TË CYRIHUT


Cyrih, 02.06.2024

 

LAPSH-i «Naim Frashëri» i kantonit të Cyrihut organizon turnir në futboll për nxënësit shqiptarë të cilët ndjekin mësimin në gjuhën dhe kulturën amtare shqipe.


Në një atmosferë të përzemërt dhe festive duke filluar nga ora 10.00 e mëngjesit të së dielës së 2 qershorit 2024, nxënësit që vijojnë mësimin në gjuhën dhe kulturën amtare shqipe, filluan të mblidheshin në qendrën sportive «Heerenschürli» në Cyrih, ku për nderë të ditës ndërkombëtare të fëmijëve, nga LAPSH-i «Naim Frashëri» për kantonin e Cyrihut, u organizua turnir në futboll për nxënësit që shkojnë në mësimin shqip të organizuar nga LAPSH-i.


Madhështinë kësaj feste dhe këtij turniri futbolli ia shtoj prania e Ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Bern, zotni Mentor Latifi, Drejtuesit të Misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, zotni Vigan Berisha, sikurse edhe sponsorit tonë, me këtë rast, FWM Partner AG, me seli në Glattbrugg. Sponsori ynë ishte me një pesë të bashkëpunëtorëve dhe kishin sjellë me vete edhe trikot për ndeshjet sportive me logot e LAPSH-it për të gjithë fëmijët. Po ashtu për të pranishmit u organizua edhe një lojë shpërblyese, cila vazhdon edhe më tutje deri më 31.12.2024.


Turnirin e shpalli të hapur kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut z. Naser Ulaj i cili u uroj nxënëseve dhe prindërve mirëseardhje në këtë turnir futbolli dhe uroj që më i miri të fitoj. Ai ftoj për një fjalë rasti Ambasadorin tonë në Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë z. Latifi, i cili u shpreh i nderuar dhe i lumtur që është sot pjesë e këtij turniri të LAPSH-it. Ai i përgëzoj nxënësit, prindërit dhe LAPSH-in për punën e tyre të devotshme të mbajtjes gjallë të mësimit në gjuhën dhe kulturën shqipe dhe i inkurajoj ata që edhe më shumë të punojnë në këtë drejtim. Ambasadori Latifi simbolikisht hapi vet turnirin e futbollit duke e luajtur topin e parë në drejtim të skuadrës e cila duhej ta niste lojën si dhe përcolli edhe një pjesë të ndeshjeve në turnir.


Edhe drejtuesi i Misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih (Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih) z. Vigan Berisha përgëzoj të gjithë të pranishmit, nxënës, prindër, arsimtarët/et mysafirët dhe Kryesinë e LAPSH-it «Naim Frashëri» të kantonin e Cyrihut për këtë organizim dhe i ftoj të gjithë që të dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe i cili zhvillohet në kuadër të LAPSH-it. Z. Berisha ishte i pranishëm tërë kohë në këtë manifestim dhe në fund ndau edhe medaljet për ekipet fituese.


Në shenjë nderimi për Ambasadorin Latifi dhe Drejtuesin e Misionit konsullor Berisha, Shkolla Shqipe LAPSH-Zürich ua dhuroj atyre nga një triko me logon e LAPSH-it të cilat i bartnin nxënësit në lojërat e zhvilluara.

Edhe pse koha ishte me vranësira, për fat nuk pati shi, dhe ç’do gjë shkoj si më së miri.


Kategorizimi i fituesve në turnir sipas skuadrave të cilat i emërtuan vet nxënësit, para fillimi të turnirit.


Klasat 1-3


1. Shqiponja

2. Shqiponjat e Zeza

3. Vlora


Klasat 4-6


1. FC Lapshi

2. Lumi i Shkëmbit

3. FC Shqipëria


Klasat 7-9


1. Drita

2. Autokton

3. Prindërit dhe Lapshi


Fituesit në kategoritë e klasave i përgëzojmë për fitoret e tyre, kurse të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre i falënderojmë për pjesëmarrjen madhështore dhe përplotënimin e këtij organizimi.


Ambasadori i Latifi, i ndarë i kënaqur nga veprimtaria e sotme kishte dërguar në mbrëmje edhe një falënderim të tij në adresë të Kryetarit të LAPSH-it z. Ulaj për turnirin e sotëm me nxënësit/et e LASPH-it:


«I nderuari z. Ulaj,

Faleminderit për ftesën tuaj!

Ju lumtë ju dhe LAPSH-it, për organizimin aq të mire dhe të qëlluar për ti mbajtur afër rininë tonë.

Ju përshëndes miqësisht,

Mentor Latifi»


Faleminderit të gjithë të pranishmëve të cilët ndihmuan në organizimin, dhe zhvillimin me sukses të këtij turniri.


Falënderim i veçant për komisionin organizativ përberë nga :

Fatjon Bajrami, anëtar i kryesisë së LAPSH-it,

Naim Shashivari, anëtar i kryesisë së LAPSH-it,

Faton Shabani, arsimdashës

Rasim Beçiri, arsimdashës


Mirë u pafshim në takime të tjera!


Fotografitë Lulzim Hasi,


Kryesisa e LAPSH-it për kantonin e Cyrihut


Gëzim Kasumaj, nënkryetar

Zyrtar për marrëdhëniet

me publikun dhe mediat





TURNIRI TRADICIONAL 2026 I LAPSH-ALEV ZÜRICH


Një festë e gjallë e gjuhës, kulturës dhe unitetit shqiptar në Cyrih


Më 14 qershor 2026, Qendra Sportive Heerenschürli në Cyrih u mbush me energji, buzëqeshje dhe krenari shqiptare, ku u zhvillua Turniri Tradicional 2026 në futboll i Shkollës Shqipe LAPSH për Kantonin e Cyrihut, me pjesëmarrjen e nxënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të ndarë në tri kategori grupmoshash.


Fjalën përshëndetëse e mbajti Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili përgëzoi mësimdhënësit dhe organizatorët për punën e tyre të palodhur në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare në mërgatë. Ai falënderoi prindërit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shkollës Shqipe dhe u uroi nxënësve suksese, duke theksuar se ata janë ambasadorët më të mirë të së ardhmes sonë.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i LAPSH “Naim Frashëri” për kantonin e Cyrihut, z. Naser Ulaj, i cili shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e ngushtë të prindërve dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e identitetit shqiptar tek brezat e rinj, ndërsa nxënësve u uroi suksese në këtë turnir.


Pas hapjes zyrtare të turnirit nga Konsulli i Republikës së Kosovës z. Vigan Berisha dhe Kryetari i LAPSH Cyrih, ndeshjet vazhduan me radhë deri në orët e pasdites, duke sjellë emocione të shumta, momente gëzimi dhe sjellje të shkëlqyer në këtë turnir futbolli.

Ky aktivitet nuk ishte thjesht një garë sportive, por një festë e bukur e bashkimit, miqësisë dhe përkatësisë sonë kombëtare. Fëmijët tanë, të shoqëruar nga prindërit dhe mësimdhënësit e tyre, sollën në fushë jo vetëm talentin sportiv, por edhe dashurinë për sportin e gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.

Në këtë turnir morën pjesë 14 ekipe të grupmoshave të ndryshme. Ndeshjet u zhvilluan në dy fusha sportive, ndërsa atmosfera u bë edhe më e veçantë falë përkrahjes së pandërprerë të prindërve, mësimdhënësve dhe të gjithë të pranishmëve, të cilët me duartrokitje dhe brohoritjet e tyre krijuan një atmosferë të paharrueshëm për nxënësit.


Renditja sipas grupmoshave


Klasat 1–3

🥇 1. Shqipet

🥈 2. Dardanët

🥉 3. Adem Jashari

Klasat 4–6

🥇 1. Golden Eagle

🥈 2. FC UÇK

🥉 3. Besim Ndrecaj


Klasat 7–9

🥇 1. FC LAPSH

🥈 2. FC KOSOVA

🥉 3. Prindër & LAPSH


Në përfundim të turnirit, u ndanë medalje për të gjitha ekipet fituese, si dhe medalje të veçanta për të gjithë pjesëmarrësit tjerë, sepse fitues të vërtetë ishin të gjithë ata që me buzëqeshje, respekt dhe shpirt ekipor u bënë pjesë e kësaj dite të veçantë.

Ky turnir dëshmoi edhe një herë se Shkolla Shqipe LAPSH Cyrih është shumë më tepër se një vend ku mësohet gjuha amtare. Ajo është një urë që lidh brezat me rrënjët e tyre, një vatër që ruan kulturën dhe identitetin tonë, si dhe një hapësirë ku ndërtohen miqësi, kujtime dhe vlera që do t'i shoqërojnë fëmijët tanë gjatë gjithë jetës.

Një falënderim i veçantë shkon për Sponsorët, për të gjithë mësimdhënësit, prindërit, organizatorët, vullnetarët dhe çdo person që kontribuoi në realizimin e këtij aktiviteti sportiv.


Fototgrafitë Lulzim Hasi

  

TURNIRI TRADICIONAL 2025 ME NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE I ORGANIZUAR NGA  LAPSH PËR KANTONIN E CYRIHUT


15 Qershor 2025, Zürich


Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, në qendrën sportive Heerenschürli në Cyrih, u mbajt turniri i tradicional «Turniri 2025» me nxënësit e shkollës shqipe i organizuar nga LAPSH për kantonin e Cyrihut, ku morën pjesë plot 14 ekipe nga 20 pika shkollore. Ky aktivitet jo vetëm që solli emocionet e lojës, por ishte si një festë për sportin, kulturën dhe bashkimin e mërgatës shqiptare.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, SH.T. Mentor Latifi, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e madhe që ka ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqipe në mërgatë, duke vlerësuar punën e palodhur të mësuesve dhe prindërve në edukimin kombëtar të brezave të rinj.

Nën organizimin e LAPSH-it të kantonit të Cyrihut, ky aktivitet u shërbeu fëmijëve jo vetëm për të luajtur futboll, por edhe për të ndjerë përkatësinë e tyre kulturore e kombëtare, duke folur shqip dhe duke dëgjuar duartrokitjet e prindërve që brohoritshin në gjuhën amtare. Me krenari mbajtën veshur fanellat me logo te LAPSH-së, të dhuruara nga sponsorët RINORA 4 dhe Flexiprint, për të gjithë nxënësit pjesëmarrës, LAPSH për kantonin e Cyrihut i shpreh falënderimet e përzemërta për mbështetjen dhe përkrahjen e shkollës shqipe në kantonin e Cyrihut.

Turniri u zhvillua paralelisht në dy fusha, hapjen zyrtare e bëri kryetari i LAPSH-së z. Naser Ulaj në njërën fushë dhe ish-koordinatori i LAPSH-së z. Nexhat Maloku në fushën tjetër.

Atmosfera ishte festive dhe emocionuese. U bë edhe një fotografi e përbashkët ku morën pjesë të gjithë mësuesit, nxënësit dhe prindërit, duke reflektuar krenarinë dhe gëzimin e përbashkët për këtë organizim të suksesshëm. Koha në 20 minutat e parë ishte me shi e pastaj ishte e kohë nxehtë dhe shumë e përshtatshme për lojë.  Prindërit u panë të emocionuar, duke përkrahur fëmijët e tyre me brohoritje e duartrokitje, në veçanti gjatë momenteve të shënimit të golave.


Fituesit sipas grupmoshave ishin:

Klasa 1–3:
🥇 TRIMAT E DUKAGJINIT
🥈 SHQIPONJAT E VOGLA
🥉 SHQIPET

Klasa 4–6:
🥇 FC LAPSH
🥈 BASHKIMI
🥉 DARDANËT

Klasa 7–9:
🥇 GOLDEN EAGLE
🥈 LAPSH & PRINDËR


Në fund të aktivitetit, të gjithë pjesëmarrësit u shpërblyen me medalje si simbol vlerësimi për angazhimin dhe shpirtin sportiv të treguar. Ky turnir dëshmoi edhe një herë fuqinë bashkuese të sportit dhe rëndësinë e përkushtimit për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.


Fotografitë nga Lulzim Hasi