MANIFESTIM MADHËSHTOR PËR NDER TË FESTËS SË FLAMURIT ORGANIZUAR NGA LAPSH CYRIH
Kjo ngjarje, tashmë tradicionale për LAPSH Cyrih, ku mblodhi qindra prindër, nxënës, mësues, aktivistë dhe bashkatdhetar që ndanë së bashku emocionin, krenarinë dhe respektin për rrënjët e tyre.
Që në fillim, atmosfera ishte e ngrohtë dhe mbresëlënëse. Salla u mbush me ngjyrat kuq e zi, ndërsa hyrja solemne e nxënësve krijoi një moment të paharrueshëm. Të veshur me kostume kombëtare nga krahinat e ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, nxënësit defiluan nën tingujt e muzikës shqip, duke mbajtur me krenari flamurin kombëtar dhe flamurin e Kosovës. Ky moment simbolizoi vazhdimësinë e traditës dhe unitetin e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Programi u hap zyrtarisht me intonimin e Himnit Kombëtar dhe Himnit të Kosovës, të cilët u kënduan me emocion të veçantë nga nxënësit. E gjithë salla u ngrit në këmbë, duke krijuar një atmosferë respekti e solemniteti.
Mbrëmjen e moderoj me profesionalizëm dhe përkushtim gazetari i njohur dhe ish-mësuesi i gjuhës shqipe në Zvicër, PhD. Dashnim Hebibi, i cili gjatë gjithë programit vuri në dukje rolin e rëndësishëm të Shkollës Shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë.
Pastaj fjala përshëndetëse ju dha:
• Kryetarit të LAPSH Cyrih z. Naser Ulaj, i cili theksoi rëndësinë e kësaj feste dhe uroj të pranishmit për ditën e 28 Nëntorit dhe falënderoj mësimdhënësit për punën e tyre të shkëlqyer në përgatitjen e këtij programi me nxënës.
• Prof. Dr. Xhavit Lipaj, të nderuar mësues, prindër, të dashur fëmijë dhe miq të gjuhës shqipe. LAPSH është drita që ruan gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar në Zvicër.
• Znj. Saime Isufi, mësuese dhe kryetare e LAPSH-së në Bern, isha e nderuar të merrja pjesë në manifestimin e LAPSH-së për kantonin e Cyrihut. U uroj shumë suksese LAPSH-së për kantonin e Cyrihut që gjithmonë ka ditë të bëjë festa madhështore.
Të gjithë folësit vlerësuan punën e palodhur të mësuesve dhe prindërve në edukimin e brezit të ri me ndjenjën e atdhedashurisë.
Pjesa artistike e përgatitur me kujdes nga mësuesit e LAPSH Cyrih ishte kulmi i mbrëmjes.
xënësit u paraqitën me:
• recitime të fuqishme poetike kushtuar flamurit, Ismail Qemajlit, Skënderbeut, Adem Jasharit dhe figurave tjera kombëtare,
• këngë tradicionale dhe patriotike,
• valle popullore nga trevat e ndryshme,
• si dhe interpretimet artistike që pasqyruan kulturën, historinë dhe shpirtin shqiptar.
Çdo dalje në skenë e nxënësve u duartrokit me entuziazëm nga publiku, i cili vlerësoi përgatitjen, disiplinën dhe talentin e fëmijëve.
Në përmbyllje, atmosfera festive vazhdoi me muzikë live nga këngëtarë të njohur të skenës shqiptare: Krist Lleshaj dhe Gentjana Gjergji të cilët e mbushën sallën me ritme gëzimi, duke i dhënë aktivitetit një frymë të vërtetë të një mbrëmjeje gazmore dhe festive. Të gjithë të pranishmit festuan së bashku në një natë që përçoi identitet, krenari dhe dashuri për vendlindjen.
Ky aktivitet i LAPSH Cyrih dëshmoi edhe një herë se ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare është një detyrë e përbashkët dhe një mision i shenjtë. Falë punës së palodhur të mësuesve, mbështetjes së prindërve dhe bashkimit të komunitetit, diaspora shqiptare në Zvicër vazhdon të jetë një shembull i gjallë i ruajtjes së vlerave kombëtare.
Fotografitë nga Lulzim Hasi
____________________
LAPSH për Kantonin e Cyrihut