Nënshkruhet marrëveshja në mes të LAPSH & ABC
LAPSH-LIDHJA E ARSIMTARËVE DHE PRINDËRVE SHQIPTARË «NAIM FRASHËRI», ZVICËR
Döttingen, Zvicër, 18 dhe 19 maj 2024
SEMIARI I MBAJTUR PËR MËSIMDHEËNËSIT E MËSIMIT PLOTËSUES NË ZVICËR
Institucionalizimi i mësimit në gjuhën dhe kulturën amtare në Diasporë – Zvicër
Në datat e sipërshënuara, LAPSH-i «Naim Frashëri» nga Kantoni i Cyrihut mori pjesë në punëtorinë dyditore të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës, i cili u zhvillua nën përkujdesjen e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih.
Me pjesëmarrjen e tyre në këtë punëtori, të pranishmëve iu drejtuan Ministrja e e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Arbërie Nagavci, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Liza Gashi, drejtori i Departamentit të Diasporës në MPJD, z. Hamdi Reçica, i cili moderoi si më së miri këtë punëtori përgjatë dy ditëve. Pastaj nderuan me fjalën e tyre Ambasadori i sapoemëruar i Republikës së Kosovës në Bern z. Mentor Latifi, përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bern, z Monika Zguro si dhe Udhëheqësi i Misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.
Sikurse nga Ministrja Nagavci e po ashtu edhe Zëvendësministrja Gashi, u vlerësua lartë puna mbi 30 vjeçare e LAPSH-it në Zvicër me theks të veçant mësimdhënia për fëmijët shqiptarë, të cilët vijojnë mësimin në Gjuhën dhe Kulturën e Atdheut (GJKA)nga të gjitha trojet shqiptare. Sigurisht në fjalën e hapjes u fol për sfidat që e kanë përcjell këtë mësim me vite, por edhe për sukseset e këtij rrugëtimi mbi 30 vjeçar. Me theks të posaçëm u trajtua nevoja e institucionalizimit të këtij mësimi dhe se ky ishte edhe qëllimi i kësaj punëtorie të organizuar nga ana e shtetit të Kosovës për të bashkëbiseduar në terren me mësuesit/et e këtij mësimi në kuadër të LAPSH-eve kantonale përfshirë edhe LAPSH-in qendror në nivel të Konfederatës Helvetike, për të shikuar mundësinë se cilat janë rrugët që duhet ndjekur deri në arritjen e qëllimit final të institucionalizimit të mësimit në njërën anë, sikurse edhe për të bërë promovimin e këtij mësimi nëpërmjet sensibilizimit sa më të madh të prindërve, arsimdashëseve, Shoqatave tjera kulturore shqiptare, profesionistëve shqiptarë por edhe zviceran, sipërmarrësve shqiptarë dhe njerëzve të tjerë me ndikim në anën tjetër. U fol këtu gjithashtu se edhe mediat publike të shteteve të origjinës mund të luajnë një rol të madh në sensibilizimin e kësaj çështjeje.
Ne si LAPSH «Naim Frashëri» i Kantonit të Cyrihut, e shohim këtë nismë të shtetit të Kosovës jashtëzakonisht më shumë se të qëlluar që nëpërmjet një punëtorie të tillë në shtetin zviceran me mësimdhënësit/set e mësimit plotësues në gjuhën shqipe të mund të evidentohen jo vetëm sfidat por edhe mundësitë dhe zgjidhjet për këtë çështje me shumë rëndësi për fëmijët tanë në mërgatë. Forma përmbajtja, puna në grupe, trajtimi i temave të ndryshme dhe përfundimisht nxjerrja e rekomandimeve mbi hapat e ardhshëm ishin të mirë menduara nga ana e organizatorit të kësaj punëtorie, por edhe angazhimi i veprimtarëve të arsimit shqip në Zvicër në këtë punëtori ishte i përkushtuar dhe me synim- përmirësimin e gjendjes. Është e para nismë me karakter të tillë në këto mbi 30 vite dhe shpresojmë të mos mbetet e vetme deri në realizimin e qëllimit të idesë së institucionalizimit të mësim shqip nën përkujdesjen e shtetit të Kosovës ose shteteve tona të origjinës.
Si LAPSH i Kantonit të Cyrihut falënderojmë publikisht institucionet tona për marrjen kësaj iniciative sa të nevojshme aq edhe të rëndësishme për koordinimin dhe institucionalizimin e këtij mësimi në gjuhën shqipe në Diasporë, përkatësisht në Zvicër.
Fotografitë e realizuar nga Lulzim Hasi
LAPSH» Naim Frashëri» Kantoni i Cyrihut
Gëzim Kasumaj, Nënkryetar
Zyrtar për marrëdhëniet me publikun dhe mediat
GJUHA SHQIPE ËSHTË NJË AMANET KOMBËTAR PËR FËMIJËT E DIASPORËS
Kështu u tha në Kuvendin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë
“Naim Frashëri” në Cyrih
Glattbrugg, Cyrih | 6 Prill 2025
Më 6 prill 2025, në qytetin e Glattbruggut të Cyrihut, në një atmosferë pune u mbajt kuvendi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë « Naim Frashëri» për kantonin e Cyrihut, një nga ngjarjet më domethënëse të diasporës shqiptare në Zvicër gjatë këtij viti. Nën moton “Gjuha shqipe është amanet”, ky kuvend mblodhi delegatë, mësimdhënës, veprimtarë të shkollës shqipe në mërgatë, përfaqësues të këshillave të prindërve, ish-kryetarë të LAPSH-së, afaristë dhe figura nga komuniteti shqiptar në Zvicër.
Pasi Kryetari LAPSH-së Z. Naser Ulaj shpalli kuvendin të hapur, Kuvendi filloj punimet nën udhëheqjen e z. Gëzim Kasumaj, një figurë e njohur dhe një kontribues i palodhur në LAPSH Cyrih. Ai përshëndeti të pranishmit, duke garantuar një proces të qetë, të strukturuar dhe me përmbajtje. Procesverbalin e mbajti mësuesja Aferdita Veliu, e cila ndoqi me vëmendje të gjitha diskutimet duke i shënuar.
Në fjalimin e tij, kryetari aktual i LAPSH-së Cyrih, z. Naser Ulaj, prezantoi një raport të punës për periudhën 2022–2024, i cili përfshinte: Organizimin e mësimit shqip në 35 paralele, me 9 mësues dhe 347 nxënës të moshave shkollore.
Përpjekjeve për të përmirësuar standardet mësimore sipas zhvillimeve pedagogjike në Zvicër, dhe bashkëpunim me institucionet tona.
Në një fjalim ai theksoi se gjuha shqipe është trashëgimi. Ajo nuk negociohet. Fëmijët tanë nuk janë projekte personale – ata janë amaneti ynë kolektiv.
Znj. Saime Isufi, mësuese veterane dhe kryetare e LAPSH-së Bern, foli për sfidat brenda LAPSH-së. Kjo është një detyrë e shenjtë, kur flasim për shkollën shqipe, nuk duhet të ketë as inat, as konkurrencë – por vetëm dashuri dhe përkushtim.
Z. Hamzë Morina, ish-kryetar dhe një figurë shembull e arsimit shqip në Zvicër, shtoi:
LAPSH nuk është klub, është strukturë kombëtare. Kur përçahet LAPSH, dëmtohen fëmijët. Askush nuk është më i madh se gjuha e tij. Në LAPSH ka pasur e ka personalitete që kurrë nuk janë dorëzuar e as që do të dorëzohen.
Ndërsa, PhD. Dashnim Hebibi, kryeredaktor i portalit SAM24.info dhe anëtar nderi i LAPSH-së Cyrih, theksoi: Ju jeni ambasadorët tanë të heshtur e meritoni përkrahje të qëndrueshme dhe jo vetëm duartrokitje.
Koordinatori i LAPSH-së, z. Nexhat Maloku paraqiti një raport të detajuar dhe të dokumentuar për periudhën 2022–2024, ku tregoj se janë mbajtur takime në nivel kantonal, mbledhje dhe seminare të ndryshme. Ai njoftoi gjithashtu daljen në pension pas këtij viti shkollor, por shprehu gatishmërinë të qëndrojë si këshilltar për brezin e mësimdhënësve të ri.
Z. Lulzim Hasi administrator i LAPSH-së, prezantoi një raport të hollësishëm financiar për vitet 2022–2024, duke detajuar në mënyrë transparente çdo hyrje e dalje. Ai paraqiti një skemë nga viti 2011 deri në vitin 2024, dhe se u pa qartë se në vitin 2011 LAPSH-ë kishte më shumë të hyra se në 2024.
Z. Gëzim Kasumaj bëri një thirrje konkrete për mbështetje nga komuniteti shqiptarë në kantonin e Cyrihut, me një kontribut minimal prej 5 CHF në muaj nga 200 prindër dhe 10 biznese nga 300 CHF në vit, mund të krijojmë kushte shumë më të mira për mbarëvajtje të mësimit.
Pas prezantimit të listës me 8 kandidatë për anëtar kryesie dhe për kryetar, u zhvillua procesi i votimit për kryesinë e re dhe kryetarin. Me 31 vota pro u rizgjodh Z. Naser Ulaj Kryetar dhe 8 anëtar të kryesisë: Naser Ulaj, Elfete Hasi, Remzije Shabani, Aferdita Vleiu, Gëzim Kasumaj, Fatjon Bajrami, Naim Shashivari dhe Lulzim Hasi.
Me rizgjedhjen e z. Naser Ulaj kryetar i LAPSH-së Cyrih, theksoi:
Ky nuk është pushtet, është përgjegjësi. Nuk jemi këtu për rrahje gjoksi, por për punë konkrete. Do të kërkojmë transparencë, sinqeritet dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Gjuha shqipe do të triumfojë. Ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, mediat, donatorët dhe mbi të gjitha shtetin zviceran për përkrahjen e vazhdueshme ndaj komunitetit shqiptar.
Kuvendi përmbylli punimet me një ndjenjë optimizmi dhe shprese se në të ardhmen gjithnjë e më shumë fëmijë do të kenë mundësinë dhe dëshirën për ta ndjekur shkollën shqipe, duke e njohur e dashur edhe më shumë gjuhën, kulturën dhe traditat tona kombëtare.
_________________________________
Fotografitë e realizuar nga Lulzim Hasi
LAPSH »Naim Frashëri» Cyrih | 6.04.2025 |